Azil, emigracion dhe Rama nis turin propagandë
Shkruan: Pellumb Nako
I hipur mbi majën e ish-pi ramidës së diktatorit në rindërtim e sipër, kryetari i Bashkisë së Tiranës iu drejtua të rinjve të Shqipërisë të mos braktisin vendin. A thua se pas kushtrimit të tij nga maja e thanës, gjithë rinia shqiptare do të mobilizohet si trup i vetëm për të frenuar me një frymë largimin për t’u kthyer pas.
Po ashtu për rininë që largohet nga vendi, ka filluar të flasë së fundmi edhe vetë Kryeministri. Megjithëse nëse do t’u referoheshim deklarimeve publike të tij, gjatë gjithë viteve të qeverisjes që drejton, asnjëherë ai nuk ka bërë thirrje për heqjen dorë nga hemorragjia e largimeve nga vendi. Rregullisht ka preferuar të bëjë krahasime me nevojën për emigracion të shqiptarëve, duke e krahasuar atë herë me emigracionin kroat e herë me atë rumun, të cilët nuk kanë ngjashmëri me atë shqiptar as për ligjshmërinë mbi të cilën bazohen dhe as për shkaqet sociale që i motivojnë.
Nga ana tjetër, veprimet konkrete të qeverisë për këto fenomene kanë qenë gjithmonë detyruara, me imponim, nga vendet e destinacionit. Nismat e saj nuk kanë pasur asnjëherë karakter social për të zbutur sadopak rrënjët e motiveve të emigrimit, por janë kufizuar në marrëveshje e protokolle ripranimi me vendet në fjalë si dhe rast pas rasti sipas problematikës, me shkëmbim oficerësh policie, me objektiv lehtësimin e kthimeve me forcë zë emigrantëve në Shqipëri.
Në thelb, gjithë qëndrimet qeveritare lidhur me emigracionin e shqiptarëve kanë pasur si vijë sjelljeje lejimin e flukseve migratore pa bërë asnjë dallim ndërmjet atyre të rregullta dhe të tjerave të parregullta, duke i futur të gjitha kategoritë në një thes dhe qëllimisht. Më pas nga kjo tërësi, qeveria u ka bërë thirrje atyre që kanë grumbulluar kapitale për të ardhur dhe investuar në Shqipëri. Qëndrimi tjetër, për ta konsideruar emigracionin e shqiptarëve si problem që duhet zgjidhur nga vendet e destinacionit, po ashtu është shfaqur qartë. Madje, jo pak periferike duket edhe tendenca sesa më shumë rrjedhje emigrantësh nga vendi, aq më pak kokëçarje për qeverisjen dhe po aq më shumë presion mbi Perëndimin. Shkaku thelbësor i rrjedhjes së vazhdueshme të emigracionit shqiptar nuk është vetëm ai me natyrë ekonomike.
Më së shumti ai motivohet nga mungesa e sigurisë në vendin tonë. Dhe siguria në një vend, ndryshe nga çfarë pretendohet masivisht në Shqipëri, nuk është thjesht çështje statistikash vrasjesh apo krimesh në përgjithësi, më pak apo më shumë se një apo dy vite më parë. Koncept ky që e bën qeverinë të thërrasë shpesh me zë të lartë se Shqipëria është vend mjaft i sigurt. Numri i krimeve, shqetësues ose jo për publikun, në përgjithësi varet nga niveli i pranueshmërisë që ka një shoqëri e caktuar. Shoqëria në disa vende e pranon ekzistencën e dhunës më shumë se shoqëria e një vendi tjetër dhe anasjelltas.
Ndaj dhe në thelb siguria që ndjen shoqëria është vetëm një perceptim në nivel të caktuar pranueshmërie dhe jo një fakt statistikash të kriminalitetit me pluse apo minuse nga viti në vit. Ndërkohë, krimet që ndodhin maten me statistika, kurse perceptimi i pranueshmërisë sigurisht që jo. Në një vështrim të parë të krijohet përshtypja se perceptimi i pranueshmërisë së sigurisë është një argument teorik, por nuk është kështu. Nëse e shohim konkretisht, ai është mjaft i pranishëm si realitet. Për një qeveri me profil demokratik, është e pamjaftueshme që siguria e qytetarëve të saj, të konsiderohet e garantuar duke u kufizuar në mbrojtjen e jetës dhe të pronës. Këto të dyja janë thelbësore, por jo të mjaftueshme.
Që të ndihet i sigurt, një qytetar e ka të domosdoshme që të jetë i zhveshur nga frika dhe nga nevojat. Kjo do të thotë se në rastin emigracion të parregullt, ndryshe nga ai i rregullt, largohen edhe ata që ndjejnë se jeta e tyre nuk ka siguri në këtë vend, edhe ata që kanë nevoja të natyrës ekonomike si dhe frikë për familjen, shqetësim për të afërmit apo preokupim për mbarë shoqërinë shqiptare. Emigracioni i parregullt ka si rrugë të vetme për arritjen e objektivit duke shfrytëzuar instrumentin e azilkërkimit. Raporti ndërmjet refuzimit dhe miratimit të azilit hedh dritë edhe mbi situatën e sigurisë sipas koncepteve të mësipërme në një vend të caktuar.
Një përfundim i tillë sigurisht ka nevojë të vërtetohet nga indikatorë të besueshëm lidhur me atë që po ndodh aktualisht me emigrantët e parregullt shqiptarë. Pra, çfarë të dhënash duhen dhënë në mënyrë që të argumentohet se emigracioni i parregullt e mat direkt sigurinë e vendit? Nëse do të shihnim statistikat euopiane, në tërësi numri i personave me shtetësi shqiptare që qëndron në mënyrë të parregullt në hapësirën Shengen (si tregues i një emigracioni të parregullt) ka mbetur në kuota thuajse të njëjta nëpër vite, me diferenca të pa rëndësishme, por në një numër jo të vogël (Mesatarisht ndërmjet 15 dhe 20 mijë në vit) .
Kurse aktualisht, në drejtim të Britanisë së Madhe konstatohet rritje e numrit të hyrjeve ilegale, tregues tjetër ky po aq domethënës. Indikatori i parë, pra, është rritja e numrit të emigrantëve të parregullt. Sipas medies, gjatë këtij viti, drejt Britanisë janë larguar në mënyrë të parregullt 2165 shtetas shqiptarë, ose dyfish krahasuar me vitin e shkuar. Shifra ilustron numrin e atyre që kanë mundur të mbërrijnë në tokën britanike dhe nuk përfshijnë të tjerë që janë prapësuar nga policia franceze. Trendi i rritjes është indikator i përkeqësimit të situatës së sigurisë në vendin tonë, e parë sipas te dy koncepteve të shpjeguara më sipër. Indikatori i dytë që flet po për përkeqësim, sigurisht ka të bëjë me shifrat e azilkërkimit.
Dhe në këtë rast nuk bëhet fjalë për numrin e kërkesave, as për numrin e atyre me natyrë abuzive, por me sasinë e rasteve të pranuara pozitivisht nga autoritetet britanike. Ky indikator sigurisht është më i rëndë dhe i lidhur direkt me sigurinë në Shqipëri. Përsëri sipas medies, nga numri i përgjithshëm e shtetasve shqiptarë që kanë kërkuar azil në Britani (pra nga 2165) kanë marrë miratim pozitiv 53 për qind e kërkesave, që në shifra përkthehet rreth 1600 persona. Kjo do të thotë se 53 për qind e atyre që mbërrijnë në Britani nuk ndihen të sigurt në Shqipëri dhe për këtë janë të ndërgjegjshëm edhe autoritetet britanike, të cilat u akordojnë mbrojtje.
Nëse si numër në total, shifra nuk duket një problem madhor, por përqindja e tyre e lartë nga totali dhe rritja në tërësi e përgjigjeve pozitive për azil në një nivel kaq të lartë nuk janë thjesht një sinjal, por një alarm që tregon se situata e sigurisë në Shqipëri po shkon drejt një përkeqësimi galopant. Dhe ky duhet të jetë shqetësimi real i qeverisë, jo thjesht “meraku” i abuzimit nëpërmjet azilit./Panorama.al.