Albin Kurti e shiti lojën
Në Facebook pasul me Mulla Osmanin, në Tuiter flamurin LGBTQ. Këtë kompromis Kurti sot e bëri edhe në Kuvend, vetë me rreth 17 deputetë pro martesave të së njëjtës gjini, kurse rreth 40 të tjerë nën kontrollin e klerikëve.
Duke e ditur se çfarë teme polarizuese po bëhej çështja e martesave të personave të gjinisë së njëjtë, duke e parë interesimin masiv të Bashkësisë Islame dhe hoxhallarëve (edhe të Kishës Katolike, por këta janë pak) të tjerë nëpër komuna të ndryshme, duke e ditur se cfarë strukture të deputetëve ka futur në Kuvend, Albin Kurtit i ra ndërmend që të bëhej demokrat.
Kurrë nuk ka ndodhur në historinë e kësaj partie që Grupi Parlamentar të kishte liri personale të votës. Në këtë subjekt deputetët kanë qënë kukulla politike. Diskrecioni i tyre ka qënë minimal. Mundësia e vetme e tyre ka qenë që të flasin në Kuvend, për të mbrojtur atë votë të cilën ua ishte caktuar që ta bënin.
Kurse sot LVV u hap. Kur kemi qenë në shkollë, kur mësuesit i mungonte kreativiteti, kohë pas kohe thoshte tema e hartimit është “temë e lirë”. Secili mund të shkruanim cfarë të donim. Kështu ishte sot në grupin e LVV-Guxo. Deputetët më në fund ishin të lirë të votonin.
Ata deputetë që janë më moti në LVV, ka mundësi që janë shokuar dhe nuk e kanë besuar një mundësi të tillë. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Ka mundësi që kanë dyshuar që ky mund të jetë një kurth, një test për të dëshmuar lojalitetin e tyre përballë Liderit. Mirëpo jo. Në fakt PO, ishte kurth, por jo kundër tyre, ishte një kurth për komunitetin liberal të Kosovës që kishin besuar në këtë Lëvizje.
Nëse flasim me terma sportiv, kjo çfarë ka ndodhur sot në Kuvendin e Kosovës, debati dhe vota për Kodin Civil, ishte një lojë e kurdisur e Albin Kurtit dhe LVV-së, ose një lojë e shitur.
Kur Albini ishte kundër Gjykatës Speciale, kundër ishin të gjithë. Kur Albini ishte kundër demarkacionit, kundër ishin të gjithë. Kur Albini ishte pro Kodit Penal, pro ishin të gjithë. Nuk kishte mundësi teorike që dikush të ndahej nga grigja, sepse në të gjitha kuptimet e fjalës, e hante ujku.
Kurse befasisht sot, pas një fjalimi të Kryeministrit Kurti, në të cilin ai doli pro martesave të së njëjtës gjini, deputetët e tij vendosën që ta sabotojnë atë. Në bazë të pamjeve prej kamerave televizive dukej që nga grupi LVV – Guxo pro ligjit votuan rreth 17 deputetë, ose pak më pak se 1/3 e të gjithë grupit. LVV dhe Guxo i kanë rreth 60 deputetë. Kjo betejë kulturore humbi për 1 votë. Pro ligjit, bashkë me minoritarët votuan 28, kundër ligjit votuan 29.
Bie fjala, nëse Mefail Bajcinovci do të kishte votuar PËR, atëherë ky ligj do të kishte kaluar, kurse Kurtit do t’i ishte plotësuar dëshira. Mirëpo Mefi befasisht, bashkë edhe me rreth 40 deputetë të tjerë ose nuk kanë marrë pjesë në seancë, ose kanë votuar kundër. Se kjo është lojë e shitur e Kurtit e dëshmon saktësisht Mefi si fenomen. Ky deputet dhe shumë të tjerë në këtë grup nuk kanë mendime personale. Ata nuk besojnë në ndonjë gjë në mënyrë specifike. Ata besojnë në ato që beson Kurti.
Këtë herë Kurti i toleroi ata, duke u mundësuar që trurin e tyre t’ua japin me qera klerikëve. Nëse klerikët po kërkonin me ngulm që ky ligj të mos kalonte, nëse ata kishin komunikim të rregullt me një pjesë të këtyre deputetëve, atëherë Kurti i ka thënë vetes “pse të mos bëhem demokrat së paku njëherë në jetë?”.
Nuk është hera e parë e Kurtit që luan me shumë parë letra kur është në pyetje kjo temë, tema e të drejtave të komunitetit LGBTQ. Ai madje, për t’ia mundësuar vetes që të hajë me dy lugë, në rrjete sociale i ka dy personalitete. Një që e përdor në Tuiter, ku është liberal, pro LGBTQ, dhe një tjetër në FB dhe në oda të burrave, ku është tradicional dhe nacionalist. Në Facebook ai han pasul me mulla Osmanin, në Tuiter e shpërndanë flamurin shumëngjyrësh të komunitetit LGBTQ. Në takime të rëndësishme rajonale liberal, i majtë dhe i moderuar, në oda të burrave tradicional, nacionalist dhe patriarkal.
Mirëpo Kurti nuk është as liberal, e as konzervativ. Ai është një oportunist i pashoq politik.