1 Maji i punëtorit! - NACIONALE

1 Maji i punëtorit!

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Dibran Hoxha

Fëmij.

N'fmini puna dhe shpija ishin nja. Nuk kishte orar pune as ditë pushimi. Kish veç stinë, simbas të cilës u caktojke edhe puna.

Pranvera niste me bahçen e vogël n'oborr, mbillej gjithcka që zihej e mundej me u honger ma vonë, mbillej edhe ni fije shprese në fund të çdo reni të mbjellun. Vera masnej ish mashtrim i bukur, dukes si stinë e lojës, po mes krejt atyne ditëve me pluhun e djersë futbolli, vinte koha e korrjes kolektive të të mbjellave të secilës shpi të mahallës, me ato që kishim ma shumë muhabet.

Pasuli e kollomoqi mbilleshin bashkë. Edhe rriteshin bashkë. Degët e holla e të njoma të pasulit pshtilleshin për tallët e kallomoqit sikur me rujt shoqi shojnë, e mu me vite mu ka duk që ata nuk e dojnë njani-tjetrin. Veç kur vinte koha e vjeljes së pasulit, kollomoqi bohej xheloz. Gjethet e tij të gjata e të mprehta e çajshin trupin si shpatë e njomë, pa shumë fuqi, ama me mjaft mllef që po ja çnukshim shokun e tij që e kish rritë pranë tanë verën.

Vjeshta kish aromë tjetër. Turshitë e ajvari silleshin në du'rt tona të vogla si me pahir, masi ma shumë ishin tu u sillë në medjet tona fantazuse për mu'jt mas, kur ato të ishin të servume n'sofër. Drutë e dimnit ishin puna ma e lodhshme, me i ça, bajtë e palu, e bojshim me ren me fmijtë e kojshive, te secila shpi ka 3-4 ditë, varet kush kish ble ma shumë e kush kallke dru në dy vena, ditën në dhomën e madhe, natën në odë për mysafir që vinin pa paralajmrime, se n'atë kohë protokoll s'kish, qato ish edhe ma lezet me ndi befasishëm kush po thirrë te dera, anipse rrethi i pritun i mysafirëve ish i ngushtum. Tashma për neve dimni kish mbrri, se vjeshta ish përgatitje për zavendësimin e shtatë a tetë orëve lojë dite me top me zavendësimin e sajës e skijave të sajume me do zorrë të zeza me nga ni vijë të kaltërt në mes.

Kur na u mbushën dhjetë pranvera, bahçja e vogël e shpisë nuk mjaftonte ma për ekonomin e ni shpie me gjashtë fmijë të lindun mrena tetë vjete e tetë muje. Ni lokal n'bazën e shpisë, nisi me u bo edhe bazë e ni bereqeti t'familjes, bashkë me ni erë t're që nisi me marr fminija: erë e duhanit, zhurmë e bilardos, kundërmim birre e rakie deri te nervat e burrave që humbshin lojë.

Unë e vllau i madh, nisëm me punu ka pesëmdhjet' e gjashtëmbdhjet' orë n'dite. Menaxhonim kuletën, kusuret, borxhet, ma shumë teket e myshteri've. Shpesh na ikshin loj't para syve, lojtar't e dyfishit a trefishit të moshës tonë, gjenerata në të pesëmbdhjetat e njëzetat e tyne në luftë, dukej që e kishin kapërcy tutën, për ta, na ishim pengesë e vogël. Pazarin e mungum të ditës e kompenzojshim me borxhe kutrume të raportume te kryefamiljari.

Në anën tjetër të lokalit, punonte i pari i shpisë. Shërbente pula të pjekuna, birra, raki dhe farfarona turshi. Klientela e tij ish dyfishi i moshës së klientelës sonë, burra që bajshin lodhjen e tan ditës me veti, e, e lshojshin në tavolinë në mbramje, afër gjysës së kaçikut t'pulës, skaj birrës. Tregimet e luftës ishin t'freskta, nganiherë rrëfeheshin me pak ekzagjërime, po ishin pjesë e zakonshme e menusë, zakonish ka fundi, po jo si ambëlsinë.

Lajme të ngjashme