Zyrtari i PDK-së tregon kushtin e partisë së tij për t'u takuar me Kurtin
Zyrtari i PDK-së, Bujar Cakolli, ka treguar kushtin që duhet ta vendosë PDK për të marrë pjesë në takimin me kryeministrin, Albin Kurti.
Pas ftesës së Kurtit për takim me liderët e partive opozitare, zyrtari i PDK-së, Bujar Cakolli, thotë se PDK duhet të kërkojë nga VV që ta fshijë nga faqja videon kundër krerëve të UÇK-së dhe PDK-së.
Nëse VV nuk kërkon falje dhe nuk largon këtë video, sipas Cakollit, PDK nuk duhet të marrë pjesë në takim me Kurtin.
“PDK duhet me shku në takim me Kurtin, vetëm me kushtin që VV me e tërhjek nga faqja e saj në FB videon kundër krerëve të UÇK-sê dhe PDK-së dhe me kërku falje publike. Në të kundërtën skem çka shkojm. I ka 51, ja paftë piken e hajrit!”, ka shkruara ai.
Ndryshe, zëdhënësi i këtij subjekti, Faton Abdullahu, ka thënë se pasi të marrin informacione të sakta nga zyra e kryeministrit për qëllimin dhe agjendën e takimit, do të vendosin se a do të marrin pjesë në këtë takim.
“Para pak minutash kemi pranuar një e-mail nga Kabineti i Kryeministrit, nëpërmjet të cilit ështe ftuar kryetari i PDK-së Memli Kransiqi për takim të përbashkët me krerët e subjekteve opozitare dhe kryeministrin. Por, në këtë e-mail nuk është specifikuar tema dhe agjenda takimit. Pasi të marrim informacione të sakta nga Zyra e Kryeministrit për qëllimin dhe agjendën zyrtare të takimit, kryetari do të vendosë se a do të merr pjesë në këtë takim apo jo”, ka thënë Abdullahu të mërkurën në mbrëmje.
