Zyrtari i lartë iranian: Izraelin po e pret një natë e errët
Izraelin “po e pret një natë e errët” i ka thënë një zyrtar i lartë Iranian CNN-it, derisa dy shtetet “shkëmbyen” sulme mbrëmjen e së premtes.
Sipas zyrtarit, forcat iraniane kanë rrëzuar disa avionë izraelitë dhe kanë neutralizuar një numër të konsiderueshëm raketash dhe dronësh të lëshuar nga Izraeli.
CNN raportoi se nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur këtë pretendim dhe ka kërkuar koment nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit.
Kjo përplasje vjen pas sulmeve ajrore të kryera nga Izraeli ndaj objektivave bërthamore dhe ushtarake në Iran, të cilat shkaktuan dëme të mëdha dhe viktima, përfshirë zyrtarë dhe shkencëtarë të lartë iranianë.
Në kundërpërgjigje, Irani nisi mbi 100 dronë dhe raketa balistike drejt Izraelit. Edhe pse shumica janë kapur nga sistemet mbrojtëse izraelite, disa prej tyre kanë shkaktuar dëme në Tel Aviv dhe zonat përreth.