Zyra e Besnik Bislimit: Kosova në dhjetor aplikon për antarësim në BE
Kosova në muajin dhjetor pritet që të dorëzojë aplikimin për antarësim në Bashkimin Evropian.
Këtë e ka bërë të ditur, edhe këshilltari politik i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu, i cili ka thënë për Radio Kosovën se kanë filluar përgatitjet për dorëzimin e aplikimit të antarësimit në BE.
“Si Qeveri, kemi filluar përgatitjet për ta dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si hap i parë, e me synim marrjen e statusit të vendit kandidat. Aplikimi do të dorëzohet këtë vit, brenda muajit dhjetor. Ndërkohë, në fund të muajit gusht, është themeluar edhe Komisioni Ekzekutiv, i cili po merret me përgatitjet e këtij aplikimi. Qeveria po ndërmerr të gjithë hapat e nevojshme në informimin e aleatëve dhe Presidencës Çeke të BE-së, për objektivin për të aplikuar”, ka thënë Kadiu në një përgjigje me shkrim.
Në anën tjetër, profesori Nezir Kraki, në një prononcim për Radio Kosovën, ka thënë se Kosova duhet të aplikojë me këtë strukturë, me këtë organizim kushtetues, për statusin e vendit kandidat.
Sipas tij, Kosova mund ta vazhdojë rrugëtimin e saj, duke deponuar kërkesën për vend kandidat në BE dhe të kërkojë sqarim për njohje nga pesë vendet që nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës
“Nuk ka kohë që përcaktohet për aplikim. Nuk mund të identifikohet momenti kështu në kohë. Kosova duhet të aplikojë me këtë strukturë, me këtë organizim kushtetues, për statusin e vendit kandidat. BE e ka ideuar një MSA për Kosovën. Serbia dhe Kosova i kanë veçantitë dhe paqartësitë e tyre. Por, Kosova definitivisht mund ta vazhdojë rrugëtimin e saj, duke deponuar kërkesën për vend kandidat në BE dhe të kërkojë sqarim për njohje nga pesë vendet që nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Kraki.
Ndryshe, profesori universitar, Arben Fetoshi, poashtu ka thënë që në aplikimin eventual për statusin e vendit kandidat për BE, Kosova duhet të tregohet e vëmendshme që të mos refuzohemi.
“Në aplikimin eventual për statusin e vendit kandidat për BE, Kosova duhet të tregohet e vëmendshme që të mos refuzohemi. Mendoj se institucionet duhet të përgatiten fort dhe t’i kushtojnë rëndësi maksimale garantimit të procesit që do të çonte në pranimin e kërkesës dhe në dhënien e statusit të kandidatit për Kosovën, e pastaj të përcaktojë kohën se kur do të bëjë këtë aplikim”, tha Fetoshi.