Zvicra do të mbajë pesë ditë zie për 40 viktimat e zjarrit katastrofal
Zvicra do të mbajë pesë ditë zie pas shpërthimit të një zjarri “të pashembullt” në një kafene të stërmbushur, duke lënë të vdekur rreth 40 njerëz e duke lënduar 115 të tjerë që po e festonin Vitin e Ri në resortin alpin Crans-Montana.
Presidenti i vendit, Guy Parmelin, e përshkroi zjarrin si njërën ndër ngjarjet më traumatike në historinë e Zvicrës. “Ishte një dramë e niveleve të panjohura” – tha ai, duke i nderuar shumë “jetë të reja që u humbën dhe u ndërprenë”, raporton gazeta “The Guardian”.
Dëshmitarët thanë se zjarri shpërtheu rreth orës 1 e 30 minuta pas mesnatës në kafenenë “Le Constellation”.
Zjarri më pas e kaploi tavanin e ndërtesës. Flakët u përhapën brenda disa sekondave, duke kapluar një bodrum të mbushur me mysafirë, shumë prej të cilëve ishin adoleshentë.
Ulysse Brozzo, 16 vjeç, instruktor në një shkollë lokale të skijimit, tha se disa prej shokëve të tij ndodheshin në kafene në kohën e zjarrit.
Ai tha se kishte biseduar me disa që tashmë ishin të sigurt, por ende nuk ishte dëgjuar me ca të tjerë për të cilët e dinte se ndodheshin brenda në momentin e shpërthimit të zjarrit.
Një shok i shokut të tij është në koma në spitalin e Sionit. “Është tragjedi e plotë. Brenda ishin qindra njerëz” – tha ai./Nacionale