Zv/ministri Raka: LDK dhe PDK nuk votuan për moscertifikimin e terroristëve, Listës Serbe
Zëvendës Ministri i Infrastrukturës dhe kandidati për deputet nga Vetëvendosja, Jeton Raka, ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës se “nuk morën pjesë në votim...kundër çertifikimit të terroristëve”.
Kjo referuar shqyrtimit të partive politike në mbledhjen e KQZ-së për certifikimin në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, për çka PDK dhe LDK rikujtuan se partit[ kanë kaluar nëpër filtra të Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Jashtme, ku s'është dhënë vërejtje apo konstatime për moscertifikim, dhe se rrjedhimisht abstenojnë deri të vihet me rekomandim të MPB-së.
“Me propozim të LV, nuk çertifikohen kandidatët e Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. LDK e PDK nuk morën pjesë në votim. Ta kishin kujtuar veç 24 shtatorin e vitit 2023 dhe 29 nëntorin e këtij viti, ish dashtë me marrë pjesë në votim e me votu kundër çertifikimit të terroristëve. Nëse jeni për Republikën sovrane, me gjithë veriun, siç është tash”, ka shkruar Raka.
Çfarë ka thënë PDK?
Anëtari i PDK-së në KQZ u shpreh se abstenon deri të vijë rekomandimi i Ministrisë së Brendshme.
“Ndaj të njëjtat shqetësime me anëtarin e VV-së, mirëpo kam një shqetësim tjetër për shkak se rekomandimi i Zyrës për Regjistrim të Partive ka thënë se ky subjekt plotëson të gjitha kriteret që të jetë në garë për zgjedhjet e 9 shkurtit. Është bazuar edhe në deklarimet e MPB dhe MPJ dhe të gjithë kanë thënë se subjekti në fjalë i plotëson kriteret. Unë me këtë rast abstenoj deri në definimin e saktë sepse certifikimi i subjekteve duhet ta ketë një konsensus të përbashkët”, u shpreh Elshani.
Elshani ka kujtuar se edhe Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka dhënë asnjë vërejtje për listën kandidatëve të subjektit politik.
“Të gjithë e dimë se kush është Lista serbe, mirëpo është mirë me na tregu Ministria e Punëve të Brendshme. Është mirë ata me ma tregu se kush janë pjesëtarë të këtij subjekti politik. Unë propozoj që të diskutoni me MPB-në dhe të vini me një rekomandim, qoftë pro apo kundër certifikimit”, u shpreh tutje Elshani.