Zv/ministri i Drejtësisë e quan "gjueti shtrigash" ftesën e Prokurorisë për Kurtin - NACIONALE

Zv/ministri i Drejtësisë e quan "gjueti shtrigash" ftesën e Prokurorisë për Kurtin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, ftesën e Prokurorisë Speciale ndaj kryeministrit Albin Kurti si dëshmitar, e ka cilësuar si gjueti shtrigash.

“Ky element paraqet një gjah shtrigash për faktin që jemi në një situatë politike kur ka tendenca që VV-ja të ekspozohet, edhe Qeveria edhe vetë kryeministri Kurti, të ekspozohen si njerëz që kanë kryer vepra penale. Nuk po bëjmë akuza kundër Prokurorisë së Shtetit, ne po bëjmë bilanc disproporcional për faktin se ata janë joaktiv dhe i mbyllin sytë kur shohin paligjshmëri, ndërkohë që ka një gjah shtrigash për anëtarët e Qeverisë Kurti, të cilët në kryerjen e detyrave të tyre të përditshme, bëjnë veprime që e kanë ndryshuar në mënyrë dinamike jetën e njeriut, si ajo e Financave, Ministria e Kulturës, e Tregtisë dhe të tjera”, ka thënë ai në Interaktiv në KTV.

“Ata duhet t’i japin shpjegimet e tyre mbi faktin se si bëhet për herë të parë që Prokuroria Speciale në situata të tilla të vlugut të fushatës zgjedhore brenda një periudhe 3-4 ditësh e fton kryeministrin të japë dëshmi. Nuk është as ngutia për të ngritur aktakuzë, as nuk ka rrethana për të cilat spekulohet mediatikisht se për cilën vepër penale apo të dyshuar thirret. Kryeministri do t’i përgjigjet ftesës, do të dakordohen për një agjendë brenda periudhës së caktuar. Selia e intervistimit është irrelevante në këtë rast. Në jurisprudencë kjo nuk është e ndaluar”, është shprehur ai.

Lajme të ngjashme