Zonja e parë e Ukrainës: Do të durojmë këtë dimër - NACIONALE

Zonja e parë e Ukrainës: Do të durojmë këtë dimër

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Zonja e parë e Ukrainës, Olena Zelenska, i ka thënë televizionit BBC se vendi i saj do të durojë këtë dimër pavarësisht nga temperaturat e ulëta dhe ndërprerja e rrymës nga raketat ruse, si dhe do të vazhdojë të luftojë në atë që ajo e përshkruan si luftë e pikëpamjeve botërore, sepse “pa fitore nuk mund të ketë paqe”.

“Ne jemi gati për ta duruar këtë. Kishim aq shumë sfida të tmerrshme, kemi parë aq shumë viktima, aq shumë shkatërrim, saqë ndërprerja e rrymës nuk është gjëja më e keqe që na ndodh”- tha ajo në një hapësirë me siguri të lartë, në një labirint ndërtesash të mbrojtura me thasë zalli.

Ajo përmendi një sondazh, sipas të cilit 90 për qind e ukrainasve kanë thënë që janë të gatshëm të jetojnë me mungesë të energjisë për dy deri në tre vjet, nëse do të mund ta shihnin mundësinë e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“E keni parasysh, është lehtë të vraposh në një maratonë, kur di se sa kilometra janë”- thotë Zelenska. Në këtë rast, megjithatë, ukrainasit nuk e dinë largësinë e “vrapimit” të tyre. “Nganjëherë mund të jetë shumë vështirë, por janë disa emocione të reja që na ndihmojnë për t’u mbajtur”- shtoi bashkëshortja e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Sipas saj, të gjithë ukrainasit do të bëhen më të fortë për shkak të kësaj lufte.

Zonja Zelenska tregon se ajo dhe fëmijët e saj jetojnë ndaras nga presidenti Zelensky, i cili jeton në hapësirën e punës. “Mbi të gjitha, na mungojnë gjërat e thjeshta – të ulemi, të mos e shikojmë orën, aq gjatë sa të dëshirojmë”- tha ajo.

Lajme të ngjashme