ZKA evidenton mangësitë e MASHTI-it: Mbi 60 mijë euro u dhanë si subvencione për libra pa plotësuar kriteret
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka treguar për parregullsitë që janë hasur vitin e kaluar në procesin e subvencionimit të librave shkollorë.
Ajo ka bërë me dije se gjatë auditimit të pasqyrave financiare të MASHT-it janë evidentuar parregullsi serioze në procesin e subvencionimit të librave shkollorë.
Në një konferencë për media, ajo ka thënë se mbi 60 mijë euro janë dhanë si subvencione për libra pa plotësuar kriteret.
“Për këtë kemi folur edhe në konferencën paraprake, për pasqyrat financiare të MASHT-it për vitin 2024 është publikuar në qershor 2025. Aty kemi prezentuar mangësitë sa i përket çështjeve që ndërlidhen me subvencionimin e librave. ZKA-ja ka identifikuar mbi 60 mijë euro janë dhënë si subvencion apo kanë aplikuar qytetarë të cilët nuk i kanë plotësuar kriteret për fëmijët e tyre që të marrin subvencionimin për libra. Kjo ka ndodhur si pasojë e kontrolleve jo të mira nga Ministria e Arsimit në bashkëpunim me Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit e cila e ka zhvilluar këtë praktikë”, ka thënë Spanca, raporton EO.