Zgjedhjet në veri, Stano: Mospjesëmarrja e Listës Serbe është zhgënjyese
Në mëngjesin e 23 prillit, qytetarët e katër komunave veriore do të zgjedhin katër kryetarë të rinj dhe dy përbërje të reja të asambleve komunale. Ndonëse institucionet e Kosovës nuk kanë arritur të sigurojnë hapjen e të gjitha qendrave të votimit për zgjedhjet në veri të vendit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha të shtunën se ka bërë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet e së dielës në veriun e Kosovës.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, ka shprehur zhgënjimin e tij për faktin që Lista Serbe nuk mori pjesë në këto zgjedhje lokale. Ai ka bërë thirrje për të gjetur një rrugë përpara gjithëpërfshirëse, e drejtë, demokratike dhe paqësore, për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.
“Është shumë zhgënjyese që Lista Serbe që përfaqëson serbët e Kosovës ka vendosur të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale të planifikuara për 23 prill në katër komunat veriore,” – ka thënë Stano në një përgjigje për Zërin e Amerikës.
Zoti Stano tha se është detyrë e Kosovës dhe Serbisë që të kenë përparësi kthimin e serbëve të Kosovës në institucione dhe të bien dakord për një rrugë përpara.
Ai po ashtu ka vlerësuar marrëveshjen e 18 marsit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si një hap drejt normalizimit të gjithanshëm të marrëdhënieve, duke përfshirë kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, përfshirë pushtetin lokal.
“Marrëveshja dhe Aneksi hapin rrugën drejt normalizimit të gjithanshëm të marrëdhënieve. Një pjesë themelore e zbatimit të këtyre marrëveshjeve do të jetë kthimi i qëndrueshëm i serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës, duke përfshirë edhe pushtetin lokal,” – ka thënë ai.