Zgjedhjet në veri: Fillon periudha e aplikimit për regjistrim për votim jashtë Kosovës
Ka filluar periudha e aplikimit për regjistrim për votim jashtë Kosovës për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave veriore.
Përmes një njoftimi për media, KQZ-ja ka bërë me dije afati i aplikimit për këtë periudhë do të përfundojë më 30 nëntor 2022.
“Gjatë kësaj periudhe, shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë Republikës së Kosovës mund të aplikojnë për regjistrim për të votuar përmes postës për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në këto katër komuna. Gjithashtu, edhe ata/ato që nuk kanë shtetësinë e Republikës së Kosovës, por që kanë të drejtë të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, sipas Ligjit për Shtetësi, mund të aplikojnë”, është thënë në njoftimin e KQZ-së.
Komisioni ka treguar se të gjitha detajet për periudhën e aplikimit për regjistrim si votues jashtë Kosovës janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajon të gjithë qytetarët me të drejtë vote, që jetojnë jashtë Kosovës dhe që i plotësojnë kriteret ligjore përkatëse – që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe pastaj, pas regjistrimit, të votojnë përmes postës gjatë periudhës e cila fillon më 9 dhjetor dhe përfundon me pranimin e fletëvotimeve më 16 dhjetor”, është thënë në njoftim.