Zgjedhjet më 9 shkurt, Hamza: Ju ftoj të bashkoheni me mua për ta ndërtuar një Kosovë më të fortë
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza ka reaguar pas caktimit të datës së zgjedhjeve parlamentare, duke thënë se kjo ditë do të përcaktojë drejtimin e ardhshëm të vendit tonë.
Hamza ka shkruar se beson fuqishëm në kapacitetin e tyre për t'u ngritur mbi çdo pengesë dhe për ta ndërtuar shtetin modern.
“Unë besoj fuqishëm në kapacitetin tonë për t'u ngritur mbi çdo pengesë dhe për ta ndërtuar shtetin modern, të drejtë dhe të barabartë për të gjithë. Nominimin për Kryeministër e kam pranuar që të udhëheq me përgjegjësi, transparencë e ndershmëri, duke përfaqësuar interesat tuaja dhe duke i vënë nevojat e qytetarëve në qendër të çdo vendimit tim.” – ka shkruar Hamza.
Ai tutje ka ftuar të gjithë që të bashkohen për të ndërtuar një Kosovë më të fortë.
“Kjo është një rrugë që nuk mund ta përshkoj i vetëm. Prandaj, ju ftoj të gjithëve të bashkoheni me mua për ta ndërtuar një Kosovë më të fortë, më të bashkuar dhe më të drejtë. Së bashku mund të bëjmë ndryshimin që kemi pritur.”
“Është koha për të besuar në të ardhmen tonë dhe për t'u angazhuar që 9 shkurti 2025 të jetë dita kur fillon një kapitull i ri për Kosovën.” – ka përfunduar Hamza.