Zgjedhjet e 7 qershorit, Serwer: Kurti të krijojë koalicion nëse nuk siguron shumicën
Profesori i Universitetit Johns Hopkins në SHBA, Daniel Serwer, është deklaruar lidhur me krizën politike në Kosovë dhe zgjedhjet e 7 qershorit.
Serwer tha se shpreson që zgjedhjet e qershorit ta zgjidhin situatën, e cila, sipas tij, po vazhdon “prej më shumë se dy vitesh”.
Në një interviste për AbcNews, ai tha se nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk arrin ta sigurojë shumicën, kreu i VV-se, Albin Kurti duhet të lëvizë shpejt drejt krijimit të një koalicioni.
“Kjo lloj situate ndodh në sistemet parlamentare. Në thelb, ka dy zgjedhje: njëra në ditën e votimit dhe tjetra gjatë procesit të formimit të qeverisë dhe zgjedhjes së presidentit. Kosova ka pasur vështirësi në këtë proces dhe nuk ka arritur t’i zgjidhë problemet brenda një afati të arsyeshëm. Në fakt, kjo situatë po vazhdon prej më shumë se dy vitesh. Shpresoj që këto zgjedhje më në fund ta zgjidhin situatën në një mënyrë apo tjetër. Nuk e di nëse partia e Albin Kurtit, Vetëvendosje, do ta sigurojë shumicën që e kishte dikur, por nëse nuk e siguron, shpresoj që kryeministri Kurti të lëvizë shpejt drejt krijimit të një koalicioni dhe zgjedhjes së presidentit”, tha ai.