Zëvendësi i Sveçlës i kushton 'poezi' ministër Pecit: Kosova ka pritur gjatë për dikë si ti
Rrallë kemi parë zëvendës-ministrat derisa iu thurin elozhe ministrave. Eh, ja ku e kemi një rast që sapo ka ndodhur: zëvendësministri i Punëve të Brendshme duket se i ka kushtuar një poezi mjaft të rrallë atij.
Bëhet fjalë për Blerim Gashanin. Ai ka shpërndarë një postim të ministrit Faton Peci në profilin e tij në Facebook.
Por, ajo që ka thënë është e rrallë për ambiente qeveritare dhe për komunikim publik mes kolegësh.
“Kosova ka pritur tepër shumë.
Ka pritur tepër shumë për dikë që e njeh cep-më-cep,
për dikë që ia di të rrahurat e zemrës,
që ia di dhimbjet, por që ia di edhe – dhe, sidomos – potencialin.
Që ia njeh pasurinë e pafund me të cilën është e bekuar.
Kosova ka pritur tepër shumë për dikë të tillë.
Si Fatoni.”
Gashani ashtu si Peci janë pjesë e Partisë Guxo e themeluar nga bashkëpunëtorët e presidentes Vjosa Osmani.