Zero fjalë, zero fotografi, zero postime: Mënyra e çuditshme se si u emërua Arben Vitia ministër
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar sot Arben Vitinë si ministër të Shëndetësisë. Por, komunikata e ndarë për medie është mjaft e çuditshme.
Aty ekziston vetëm një rresht.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka emëruar Arben Vitinë, ministër për Shëndetësi, të cilit i ka uruar suksese në plotësimin e detyrave dhe përgjegjësive të tij.”

Por, ky njoftim nuk ka pasur asnjë fotografi mes Kurtit ose Vitisë. E madje as të vetë Arben Vitisë.
Për më keq, Vitia – që punonte ose edhe punon ende në klinikën private Olive – nuk ka bërë asnjë postim në rrjete sociale. Ai madje nuk ka folur as për medie.
E një gjë të tillë nuk e ka bërë as kryeministri Albin Kurti në profilin e tij në Twitter apo Facebook.
Kujtojmë se vendi kishte mbetur pa ministër për 80 ditë, prej 6 tetorit kur kishte dhënë dorëheqje Rifat Latifi.
Ndërkohë, sa për kontrast, ky i fundit ishte emëruar ministër me shumë pompozitet. Për të ishte organizuar një konferencë për medie, në të cilën përveç Latifit do të fliste edhe kryeministri Albin Kurti. Ndërkohë, KËTU mund ta shihni edhe se si ishte lajmëruar nga ZKM-ja emërimi i tij.
Të shpresojmë që kjo heshtje do të thyhet shpejt.
