Zelensky thotë se Rusia ka 50.000 trupa në Kursk - NACIONALE

Zelensky thotë se Rusia ka 50.000 trupa në Kursk

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se operacioni i forcave ukrainase po frenojnë 50 mijë trupa ruse.

Në adresimin e tij të përditshëm para kombit, Zelensky tha se përmes këtij operacioni po zvogëlohet aftësia e Moskës për të sulmuar brenda Ukrainës. Presidenti e ka përmendur për një kohë të gjatë këtë gjë si objektiv të ofensivës, pavarësisht nga skepticizmi te disa aleatë perëndimorë, raporton televizioni BBC.

Sipas Institutit për Studimin e Luftës, organizatë jofitimprurëse amerikane, Rusia kishte 11 mijë trupa në Kursk, kur Ukraina e kishte filluar sulmin e befasishëm në fillim të gushtit.

Megjithatë, sipas një raporti të gazetës “The New York Times”, Moska e ka arritur grumbullimin e trupave në Kursk pa ndonjë nevojë për të tërhequr ushtarë nga Ukraina.

Gazeta e njohur amerikane gjithashtu thotë se trupa të Koresë së Veriut janë duke u dislokuar në Kursk si pjesë e një kundërsulmi rus që mund të fillojë së shpejti.

Në fjalimin e tij, Zelensky tha se ishte informuar nga komandanti i ushtrisë ukrainase, Gjeneral Oleksandr Syrskyi, i cili më herët të hënën njoftoi se kishte kryer një inspektim të njësiteve ukrainase të dislokuara në Kursk të Rusisë.

“Burrat tanë po frenojnë… 50 mijë prej personelit të ushtrisë së pushtuesit, të cilët, për shkak të operacionit në Kursk, nuk mund të dislokohen në drejtime të tjera të ofensivës ruse ndaj territorit tonë” – tha presidenti ukrainas.

Lajme të ngjashme