Zelensky të premten në Stamboll, pritet përkrahje për Ukrainën
Turqia pritet që ta theksojë mbështetjen e saj të fuqishme për integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës gjatë një vizite të presidentit të këtij shteti, Volodymyr Zelensky, të premten në Stamboll, tha një burim diplomatik turk.
Presidenca e Turqisë tha se Zelensky do të zhvillojë bisedime me homologun turk, Rexhep Erdogan, për rrjedhën e luftës Ukrainë – Rusi, marrëveshjen për transportimin e drithit nëpër Detin e Zi dhe marrëdhëniet dypalëshe. Takimi është caktuar për në orën 19:00 sipas zonës kohore të Turqisë (në orën 17:00 sipas zonës kohore të Kosovës), raporton agjencia “Reuters”.
Nuk qe e qartë nëse dy presidentët do të mbajnë konferencë për gazetarë.
“Është planifikuar që të përçohet porosia se Turqia është duke i vazhduar përpjekjet e saj për t’i dhënë fund luftës sa më shpejt që është e mundshme mbi bazën e bisedimeve” – tha burimi turk.
Në mesin e temave në agjendën e diskutimit janë zhvillimet rreth rregullave të reja për sigurinë e lundrimit të anijeve tregtare mes Rusisë dhe Ukrainës pas përfundimit të Nismës së Detit të Zi, shtoi burimi.
Në korrikun e vitit të kaluar, Rusia u tërhoq nga marrëveshja, e cila i kishte mundësuar Ukrainës që të eksportonte drithë në mënyrë të sigurt nga portet e saj në Detin e Zi, duke thënë se kërkesat e Moskës për kushte më të mira për eksportet e saj të ushqimit dhe plehrave po shpërfilleshin.
Ankaraja është munduar që ta bindë Moskën për t’u kthyer në marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara. Rusia ka thënë se nuk është e interesuar që ta ringjallë paktin.