Zelensky jep hollësi rreth planit të përditësuar për paqen, përfshihet tërheqja e mundshme e trupave
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka dhënë hollësi të një plani të përditësuar të paqes që ia ofron Rusisë tërheqjen e mundshme të trupave ukrainase nga pjesa lindore e vendit dhe krijimin e një zone të demilitarizuar.
Duke dhënë hollësi të planit 20-pikësh për të cilin u arrit pajtim në fundjavë në Florida mes emisarëve amerikanë e ukrainas, Zelensky tha se rusët duhet të përgjigjen të mërkurën, porsa amerikanët të kenë folur me ta, raporton televizioni BBC.
Duke e përshkruar këtë plan si “korniza kryesore për përfundimin e luftës”, ai tha se në të propozohen garanci të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe evropianët për një kundërpërgjigje të bashkërenduar ushtarake, nëse Rusia përpiqet që ta pushtojë Ukrainën përsëri.
Sa i përket çështjes së rajonit lindor të Donbasit, Zelensky tha se një “zonë e lirë ekonomike” është opsion i mundshëm.
Ai tha para gazetarëve se, përderisa Ukraina është kundër tërheqjes, negociatorët amerikanë po synojnë që të krijohet një zonë e demilitarizuar ose një zonë e lirë ekonomike. Zelensky theksoi se cilado zonë nga e cila do të tërhiqeshin trupat ukrainase do të duhej të mbikëqyrej nga policia e Ukrainës.
“Janë dy opsione: ose lufta vazhdon, ose duhet të merret vendim për diçka në lidhje me të gjitha zonat ekonomike potenciale” – shtoi presidenti ukrainas.
Sipas tij, çështjet e ndjeshme, përfshirë ato për territorin, duhet të zgjidhen “në nivelin e udhëheqësve”, por drafti i ri do t’i ofrojë Ukrainës garanci të forta të sigurisë dhe një ushtri prej 800 mijë pjesëtarësh.
Një pjesë e madhe e planit të përditësuar ngjan me rezultatet e bisedimeve të zhvilluara rishtazi në Berlin, ku morën pjesë udhëheqës evropianë dhe dy negociatorë amerikanë.