Zelensky: “Gjithçka do të jetë Ukrainë”
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka siguruar ukrainasit se “gjithçka do të jetë Ukrainë” në një deklaratë të publikuar para se homologu rus, Vladimir Putin, ta fillonte fjalimin në Moskë në ceremonin për shpalljen e aneksimit të katër rajoneve ukrainase.
“Ne e kemi situatën nën kontroll. Gjithçka do të jetë Ukrainë”, tha presidenti ukrainas në rrjete sociale pas përfundimit të një takimi me zyrtarët më të lartë të ushtrisë dhe sigurisë.
Zelensky tha se zyrtarët i dëgjuan raportet nga vija e frontit, “e shqyrtuan planin e mëtejmë për çlirimin e territoreve tona”, i analizuan “veprimet e mundshme të armikut në të ardhmen e afërt” dhe diskutuan për logjistikën e furnizimit të trupave me armë dhe municion.
Përderisa presidenti rus po fliste në Moskë, shefi i zyrës së presidentit ukrainas, Andriy Yermak, në rrjete sociale shkroi: “Ne vazhdojmë të punojmë dhe t’i çlirojmë territoret ukrainase. Ne nuk u japim vëmendje atyre që duhet të marrin ilaçe. Ushtria është duke punuar, Ukraina është e bashkuar. Vetëm përpara.”