Zelensky e “rehaton” me pozitë të lartë ish-komandantin e ushtrisë që e shkarkoi
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka emëruar Valeriy Zaluzhniy-n ambassador në Britani të Madhe, rreth një muaj pasi gjenerali u shkarkua nga pozita e komandantit të ushtrisë ukrainase.
Largimi i këtij oficeri nga pozita e lartë ushtarake ishte pjesë e “ristartimit” të qeverisë dhe ushtrisë nga Zelensky, riformatimi më i gjerë i tij që nga fillimi i pushtimit rus, raporton Radio “Evropa e Lirë”.
Më 8 shkurt, Zelensky e shkarkoi Zaluzhniy-n nga pozita e komandantit dhe në vendin e tij e emëroi Alexander Syrsky-n, komandant i Forcave Tokësore.
Një ditë pas tërheqjes, Zelensky ia dha Zaluzhnyi-t titullin “Hero i Ukrainës”.
Thashethemet për një konflikt mes tyre ishin shfaqur në mediat ukrainase e botërore në fund të vitit të kaluar pas rezultateve të pakënaqshme të kundërsulmit ukrainas, i cili nuk i përmbushi pritjet.