Zeka: Mungesa e marrëveshjes me Serbinë po e pengon tërheqjen e investimeve kapitale - NACIONALE

Zeka: Mungesa e marrëveshjes me Serbinë po e pengon tërheqjen e investimeve kapitale

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se Kosova ka dështuar për vite me radhë në aspektin e tërheqjes së investimeve, jo vetëm nga korporatat serioze, por edhe korporatat në përgjithësi dhe atyre amerikane.

Zeka është shprehur se mungesa e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë është një pengesë për tërheqjen e investimeve, veçanërisht nga investitorët amerikanë.

Ai ka bërë thirrje për një politikë që çon përpara bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe krijimin e një hapësire tregtare të përbashkët në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

"Në aspektin e perceptimit apo në aspektin se si e shohin investitorët e huaj, në radhë të parë ata amerikanë, apo edhe investitorë të tjerë të huaj, në kushtet e mungesës të një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, besoj se nuk ka nevojë të komentohet shumë. Për vite me radhë realisht Kosova dështon në aspektin e tërheqjes së investimeve jo vetëm nga korporatat serioze, por edhe korporatat në përgjithësi, dhe atyre amerikane," - ka thënë Zeka.

Më tej ai ka thënë se inflacioni në Kosovë është në nivel të lartë dhe kostoja e jetesës po rritet për shkak të faktorëve të jashtëm, si konflikti në Ukrainë. Ai thekson se stabilizimi i inflacionit në Kosovë mund të arrihet përmes një politike ekonomike të mirë, që përfshin rritjen e produktivitetit dhe reduktimin e varësisë nga importet.

"Ajo që ndodh në rrafshin global është se ka një rënie të lehtë të shkallës së inflacionit, po flas në nivel botëror, si Shtetet e Bashkuara dhe shtete të tjera. Edhe ne në mënyrë të pashmangshme prekemi nga zhvillime të tilla. Ajo që ndodh është se stabilizimi i inflacionit deri diku ndodh edhe për shkak të rënies të çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare. Në aspektën e brendshëm, në tregun e Kosovës, kemi patur rritje të mëtejshme të çmimit të energjisë. Kur flasim për energjinë, në Kosovë i referohemi tërësisht energjisë elektrike sepse është burimi pothuajse i vetëm i energjisë në vend. Rritja e kostos së energjisë elektrike, do të ndikojë në mënyrë të pashmangshme në rritjen e kostos së operimit të bizneseve, bizneseve prodhuese e të tjerë. Kjo pastaj do të përçohet tek çmimet e konsumit, dhe standarti i jetesës në përgjithësi." - pohoi ai.

Lajme të ngjashme