Ymeri: LVV arsyeton nepotizmin, e Kurti thotë ne jemi të mirë
“Nuk mundet të thotë se ne jemi të mirë sepse unë jam i mirë”. Kështu e vlerëson Visar Ymeri, drejtuesi i Institutit Musine Kokalari, krejt qasjen e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, ndaj rasteve të nepotizmit dhe arsyetimeve të saj gjatë ushtrimit të pushtetit nga Lëvizja e kthyer në parti, Vetëvendosje. “Ti mund të jesh i mirë personalisht, por çfarë po bën ta bësh të mirë të gjithë qeverisjen?”, vërejti Ymeri, teksa tha se pjesëtarë të LVV'së kanë avancuar familjarë nëpër poste publike e madje ka pasur edhe arsyetime se këto avancime po bëhen për shkak të profesionalizmit.
“Kurtin e dëgjuam, kur tha asnjëri prej vëllezërve të tij, nuk e ka shkelë kurrë ndërtesën e qeverisë as prindërit nuk e kanë shkelë ndërtesën e qeverisë. Këto i përdori si shembull që nuk e mbështet nepotizmin. Mirëpo kemi pas raste të njerëzve tjerë në LVV, që i kanë avancu edhe familjarët e vet, kemi pas deklarata të deputetëve që kanë thënë megjithatë po avancohen për shkak të profesionalizmit. Është arsyetuar nepotizmi me profesionalizëm”, tha Ymeri në Debat Plus.
“Është problematike nëse shikohet kështu nga kryeministri sepse ai është përgjegjës për funksionimin e tërë qeverisë dhe si kryetarë edhe për partinë. Nuk mundet të thotë se ne jemi të mirë sepse unë jam i mirë. Ti mund të jesh i mirë personalisht, por çfarë po bën ta bësh të mirë të gjithë qeverisjen”, shtoi ai.