Ymeri: Kurti ka dëmtuar pozicionin e Kosovës në dialog, bëri hapa të gabuar në veri
Analisti politik Visar Ymerit ka vlerësuar se kryeministri Albin Kurti ka bërë hapa të gabueshëm në procesin e dialogut me Serbinë.
Ai ka thënë se këta hapa kanë ndikuar në dobësimin e pozicionit të Kosovës në këtë proces.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Ymeri ka thënë se bashkësia ndërkombëtare ka rritur presionin ndaj Kosovës.
“Presioni është rritur. Mendoj që Kurti i ka bërë disa hapa të gabuar sa i përket procesit të dialogut, më cilin mendoj që shumë e ka dëmtuar pozicionin e Kosovës, por edhe të vetin personalisht në raport më bashkësinë ndërkombëtare. Pasi e ka pasur një sjellje të papërgjegjshme shpesh në raport me veriun, duke shpresuar që ndryshimi i situatës në teren do ta ndryshojë edhe pozitën e Kosovës në procesin e dialogut dhe atë që kemi parë kohëve të fundit jo që nuk është fuqizuar ky proces, por është dobësuar në kuptimin e kredibilitetit dhe gatishmëria ose vullneti për t’i dëgjuar argumentet e Kosovës në Bashkësinë Ndërkombëtare dhe kjo për shkak të sjelljes sonë”, ka thënë ai.
Sipas tij, sjellja e Kurtit në këtë proces është parë si pengesë.
“Kërkesat e tyre dhe përgjithësisht që Republika e Kosovës deri vonë është parë si një penguese e ecjes përpara në procesin e dialogut, për këtë i kemi edhe sanksionet në të cilat jemi vendosur ndërkohë që ne e dimë gjithë që faktikisht Serbia ka qenë dhe mbetet penguese por sjellja jonë e ka mbuluar këtë pozicion destruktiv të Serbisë”, është shprehur Ymeri.