Ymeri ia kthen Rron Gjinovcit për energjinë: Satelit i pushtetit, i ke zero ditë përvojë në këtë sektor
Janina Ymeri nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ndaj Rron Gjinovcit, pasi ky i fundit e akuzoi atë për keqinformim lidhur me çështjen e energjisë elektrike. Përmes një postimi në Facebook, Ymeri e ka cilësuar pushtetin aktual si të majtë ekstrem dhe ka thënë se i dallon qartë qëndrimet e saj politike.
“Unë jam e djathtë dhe qëndrimet e mia janë konsistente me atë që e besoj”, ka shkruar Ymeri, duke shtuar se nuk i ndryshon qëndrimet “varësisht nga era apo sponsorët e radhës”. Ajo ka akuzuar Qeverinë se po zbaton “inxhiniering social” dhe se përmes presionit ekonomik po i detyron të rinjtë të largohen nga vendi.
Sipas saj, kjo është “strategji e qëllimshme për të eliminuar opozitën potenciale” dhe për të krijuar varësi nga shteti. Ymeri ka deklaruar se “Vetëvendosje nuk po e lufton varfërinë, por po e institucionalizon”, duke devijuar fondet nga sektorë si arsimi e shëndetësia drejt skemave sociale.
Ajo ka kritikuar ashpër Gjinovcin dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë, duke thënë se janë “satelitë të pushtetit” dhe se identiteti i tyre politik “bazohet në konflikt të përhershëm dhe mjerim kolektiv”.
Ajo tha se Rron Gjinovci i ka zero ditë përvojë në sektor të energjisë.