Xhubleta shqiptare tash e tutje nën mbrojtjen e UNESCO-s si trashëgimi kulturore - NACIONALE

Xhubleta shqiptare tash e tutje nën mbrojtjen e UNESCO-s si trashëgimi kulturore

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Xhubleta është një nga veçoritë më interesante të kulturës shqiptare. Ajo tashmë është pjesë e trashëgimisë botërore, duke u bërë pjesë e listës së trashëgimisë nën mbrojtje të UNESCO-s.

Në fakt, dosja e mënyrës së bërjes artizanale e xhubletës është futur në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale.

“Në mbledhjen e Komitetit Ndërqeveritar për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, që po zhvillohet në Marok u vendos që xhubleta të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale”, njoftoi dje Ministria e Kulturës e Shqipërisë.

Ndërsa ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti, e cilësoi si lajm të jashtëzakonshëm këtë hap të UNESCO-s.

“Një lajm i jashtëzakonshëm për trashëgiminë tonë #kulturore, si dhuratë në 110-vjetorin e Pavarësisë! Pas një pune të gjatë, plot përkushtim të një grupi të madh bashkëpunëtorësh, dosja e dijebërjes artizanale të xhubletës u pranua në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s. Xhubleta shqiptare, e lashtë 4 mijë vjet, tashmë është pasuri e gjithë njerëzimit!”– shkruan ministrja.

Ndërsa sot është bërë regjistrimi i xhubletës shqiptare në UNESCO, të cilin hap ministrja Margariti e ka quajtur "kryelajm të kulturës".

"Një pikë kulmore në punën e palodhur të skuadrës që çoi përpara këtë nismë të Ministrisë së Kulturës!" - shkroi ajo në Facebook.

Lajme të ngjashme