Xhelal Sveçla viziton veriun, e qet në terren edhe burrin e Albulena Haxhiut
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se sot ka vizituar komunat veriore. Bashkë me të, është parë edhe Alban Krasniqi, burri i ministres Albulena Haxhiu, i cili tani ka pozitën si këshilltar i jashtëm politik i ministrit Elbert Krasniqi, çështje për të cilën raportoi gazeta Nacionale.
Në disa pamje që i ka publikuar Sveçla në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se situata në komunat veriore është e qetë, derisa u pa edhe me ushtarë të KFOR-it.
“Nga takimet e shumta me pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe KFOR kuptuam se situata në këto komuna është e qetë dhe stabile. Nga kjo vizitë, ne pamë nga afër se ata suksesshëm po përmbushin detyrat e tyre në zbatimin e ligjit, ruajtjen e paqes dhe ofrimin e një stabiliteti të qëndrueshëm si qëllim yni i përbashkët. Angazhimi i tyre i përditshëm në ofrimin e sigurisë dhe vendosjen e ligjshmërisë janë edhe lehtësim por edhe garancë për një jetesë më të mirë të banorëve të kësaj zone”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Mes tjerash, Sveçla tha institucionet e Kosovës do t’i zbatojnë vendimet që janë në pajtim me Kushtetutën.
“Institucionet e Republikës së Kosovës do të vazhdojnë të sigurojnë lëvizjen e lirë për të gjithë qytetarët pa dallim, në përputhje me ligjet në fuqi. Do të jemi zbatues të vendimeve të drejta dhe ligjore të cilat janë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ministri i brendshëm.
Vlen të theksohet se Sveçla gjatë ditës së djeshme deklaroi se ka informacione nga terreni dhe ndërkombëtarët, që ka indicie se mund të përsëritet një situatë si ajo e 31 korrikut më 1 shtator, kur edhe hyn në fuqi vendimi për reciprocitet me targat dhe dokumentet serbe.