Xhaxhai i vrasësit të gjyqtarit kërcënon: Kur ta dënojnë nipin, do të përballen me plumba
Gjovalin Shkambi – xhaxhai i Elvis Shkambit, të dyshuarit për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja dhe për plagosjen e dy personave të tjerë në ngjarjen që tronditi vendin dje – ka dhënë një deklaratë të fortë dhe kërcënuese ndaj organeve të drejtësisë.
Në fjalën e tij, Gjovalini mohoi pendesën dhe përsëriti pretendimet për një mosmarrëveshje pronësore që, thotë ai, e kanë ndjekur familjen për vite me radhë.
“Ata që do të dënojnë nipin tim, do të përballen me këtë gjë. Ata gjyqtarë që do të dënojnë nipin, do të përballen me të njëjtën gjë (vrasje) me plumba”, citohet të ketë thënë ai, duke shtuar se kanë dërguar prej 13 vitesh kërkesa për pronën që, sipas tij, “ia kanë blerë shtetit”.
Pyetjes nëse është i penduar për ngjarjen, Gjovalini iu përgjigj me një qëndrim kontradiktor: “familjes së të ndjerit gjyqtar, i ulem në gjunjë. Kemi 13 vite që informojmë shtetin… Nëse dënojnë djalin, të njëjtën gjë do bëjmë”.
Ai theksoi se dokumentacioni i pronës është i rregullt dhe se ka kërkuar prej vitesh ndërhyrje nga autoritetet, duke përmendur se është ankuar deri te nivelet e larta qeveritare.