Weber: Lëvizjet e qeverisë Kurti nuk të çojnë në ndonjë progres
Bashkëpunëtori i lartë në Këshillin e Politikave të Demokratizimit (DPC), i përqendruar në Ballkanin Perëndimor, Bodo Weber, sheh një dinamizëm të ri në procesin e bisedimeve, por dyshon për një marrëveshje të shpejtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai është skeptik se Serbia do ta pranojë pavarësinë e Kosovës.
Sa i përket planit të shumëpërfolur kohët e fundit ‘franko-gjerman’, Weber pohoi se mbetet e paqartë se çfarë përmban dhe nuk dihet nëse, sipas tij, non-paper-et e publikuara janë të sakta.
“Çfarë përfshin konkretisht propozimi franko-gjerman mbetet e paqartë. Disa non-papers që janë publikuar, ende nuk e dimë nëse janë të sakta. Përshtypja ime është se ende jemi larg një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme mes palëve. Ende ka mospërputhje sa i përket marrëveshjes thelbësore që qon në njohjen formale të Kosovës nga Serbia, por janë disa hapa përpara që po bëhen për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Është e mirëseardhur kjo dinamikë e re, por dyshoj se pa një rivendosje reale të negociatave se do të ketë marrëveshje përfundimtare e gjithëpërfshirëse”, tha Weber, shkruan TëVë1.
Sipas Weber, lëvzijet e kryeministrit Kurti - të cilat synojnë forcimin e sovranitetin shtetëror - nuk të qojnë në ndonjë progres.
Sipas analistit gjerman, Kosova kurrë nuk do të gëzojë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial pa një marrëveshje përfundimtare që rezulton në njohjen e Kosovës nga Serbia.
“Lëvizjet e njëanshme të qeverisë Kurti, që synojnë forcimin e Kosovës- sovranitetin shtetëror, janë të kuptueshme, por nuk të qojnë në ndonjë progres. Pa një përparim në negociatat e dialogut dhe pa një marrëveshje përfundimtare që qon në njohjen Kosovës nga Serbia, Kosova nuk do ta përjetojë kurrë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial. Por përgjegjësia për veprimet e Prishtinës qëndron në diskreditimin e dialogut nga Perëndimi, përmes negociatave të kaluara për shkëmbimin e territoreve. Megjithatë, kam frikë vendimi për targat do t’i largonte serbët e Kosovës në veri edhe më larg nga integrimi në shtetin e Kosovës”, shtoi Weber.