Walker: Komoditeti dhe përfitimet në Hagë po minojnë drejtësinë për ish-krerët e UÇK-së
Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker, kritikoi me tone të ashpra Dhomat e Specializuara në Hagë, duke ngritur dyshime serioze mbi integritetin e kohëzgjatjes së procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një intervistë për “Off the Record” në A2 CNN, Walker argumentoi se procesi është stërzgjatur jo për shkaqe procedurale, por për shkak të interesave personale të zyrtarëve ndërkombëtarë.
Sipas diplomatit amerikan, një nga problemet kryesore është mungesa e qëndrueshmërisë së stafit, ku rotacioni i shpeshtë i juristëve ka krijuar një zvarritje të pajustifikueshme që tashmë kalon një dekadë.
“Gjyqi në Hagë po zhvillohet për 10 vite. Numri i juristëve, gjyqtarëve, prokurorëve ndërkombëtarë janë përfshirë dhe kanë ikur nga Haga mbas një periudhe kohore që kanë qenë aty.”
Përtej çështjeve burokratike, Walker kritikoi ashpër zvarritjen e procesit me përfitimet materiale. Ai përshkroi një mjedis ku jeta luksoze dhe pagat e larta në Holandë mund të kenë zbehur urgjencën për të vendosur drejtësi, duke e kthyer procesin në një vend pune të rehatshëm për burokratët ndërkombëtarë.
“Shumë prej tyre kanë qenë aty në këtë çështje për vite me radhë dhe të jetosh në Hagë është një vend shumë komod për të jetuar. Të gjithë facilitetet e jetës moderne janë aty."
Hotele shumë të mira, restorante shumë të mira, pagat që ato marrin janë të mira. Ka shtesa gjithashtu të pagës që marrin jo të gjithë, por mendoj që disa prej tyre nuk do të dëshironin. Nuk kanë dëshiruar që ky gjyq të përfundojë, sepse pothuajse një dekadë e karrierës së tyre të punojnë në Hagë, të marrin pjesë në hetime dhe pastaj ndjekja penale e këtyre personave të akuzuar. Kanë jetuar një jetë shumë komode dhe më vjen shumë inat kur e mendoj këtë gjë, por duke pasur parasysh kushtet në Hagë, duke pasur parasysh akomodimin, pagat e mira dhe shtesat dhe të jesh një prokuror, apo një gjyqtar në Gjykatën ndërkombëtare të Hagës. Besoj se kjo ka ndikuar gjithashtu në kohëzgjatjen e këtij procesi”