VV padit Përparim Ramën në Supreme për shtrenjtimin e biletave të transportit publik - NACIONALE

VV padit Përparim Ramën në Supreme për shtrenjtimin e biletave të transportit publik

1 orë më parë

nga NACIONALE

Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës ka dorëzuar padi në Gjykatën Supreme ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, për shkak të shtrenjtimit të biletave të transportit urban.

Asamblistët e kësaj partie kanë kërkuar anulimin e vendimit dhe pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të tij deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës.

Sipas arsyetimit të tyre në padi, kryetari i Komunës, Përparim Rama, nuk ka kompetencë ligjore për të caktuar çmimin e biletave të transportit publik. Kjo kompetencë, sipas ligjit, arsyetojnë asamblistët, i takon Kuvendit Komunal.

Postimi i plotë i VV-së:

ASKUSH NUK ËSHTË MBI LIGJIN. AS KRYETARI I PRISHTINËS.
Grupi i Asamblistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin Komunal të Prishtinës ka dorëzuar padi në Gjykatën Supreme kundër vendimit të Kryetarit të Komunës për rritjen e çmimit të biletave të transportit publik.
Me këtë padi kërkojmë anulimin e vendimit dhe pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të tij deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës.
Padia jonë bazohet në disa pretendime themelore:
▪️ Kryetari i Komunës nuk ka kompetencë ligjore të caktojë çmimin e biletave të transportit publik. Sipas ligjit, kjo kompetencë i takon Kuvendit Komunal.
▪️ Vendimi krijon trajtim diskriminues, duke vendosur çmime të ndryshme për të njëjtin shërbim publik, vetëm mbi bazën e mënyrës së pagesës, pa një justifikim objektiv dhe proporcional.
▪️ Vendimi është marrë në kundërshtim me parimin e ligjshmërisë, duke mos respektuar procedurat dhe standardet që kërkon legjislacioni në fuqi. Vendimi nuk përmban as arsyetimin e detyrueshëm ligjor.
Në një shtet të së drejtës, askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë autoritet publik nuk mund të imponojë barrë financiare ndaj qytetarëve duke anashkaluar ligjin.
Tani është radha e Gjykatës Supreme të mbrojë ligjshmërinë dhe interesin publik.

Lajme të ngjashme