VV-ja në Vushtrri pas koalicionit me Tahirin: S'ka forcë që e ndalon fitoren tonë të përbashkët
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri, Sylejman Meholli, tha se dega e kësaj partie në Vushtrrie i jep mbështetje të plotë koalicionit parazgjedhor me kandidatin e Lidhjes Demokratike, Xhafer Tahiri.
Sipas Mehollit, marrëveshja është arritur me mbështetje të plotë nga kryeministri Albin Kurti dhe synon “fitoren e madhe në Vushtrri” në zgjedhjet lokale të 9 nëntorit 2025.
“Bashkë për Vushtrrinë!
Përtej çfarëdo dallimi sot kemi lidhur koalicionin e fitores në Vushtrri me LDK-në - Dega në Vushtrri e drejtuar nga kryetari i saj z. Xhafer Tahiri dhe në mbështetje të plotë të kësaj marrëveshje nga kryeministri z. Albin Kurti!
Bashkë e kemi ndryshuar qeverisjen në vitin 2017 e bashkë do ta ndryshojmë edhe më 9 nëntor 2025!!” – shkroi ai ndër të tjera.
Mëngjesin e sotëm, Xhafer Tahiri i LDK-së në cilësinë e avokatit mbrojtës shkoi në seancë gjyqësore me të akuzuarin për korrupsion, Faruk Mujkën e Lëvizjes Vetvendosje.
Pak orë pas përfundimit të seancës, një lajm i bujshëm bashkë me pamje e fotografi, erdhi nga qyteti i Vushtrrisë, ku z.Tahiri, u pa duke nënshkruar marrëveshje koalicioni me kandidatin e Vetëvendosjes për kryetar të Vushtrrisë, z.Sylejman Meholli.
Fotografia ku prapa dyshes dukej edhe kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, zuri në befasi edhe vetë partinë e z.Tahiri, Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Pas një mbledhje që kjo parti mbajti në kontekstin e situatës së krijuar në Vushtrri, nëpërmjet një njoftimi për media thotë se ‘LDK nuk ka autorizuar asnjë koalicon lokal’.
“Lidhja Demokratike e Kosovës njofton anëtarësinë e vet dhe publikun e gjërë se nuk ka autorizuar dhe nuk autorizon asnjë koalicion lokal pa ndjekur procedurat statutare të partisë” – thuhet në njoftimin e LDK-së.