VV-ja akuzon Ndërmarrja Publike Banesore për afera korruptive
Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje e kanë akuzuar Ndërmarrjen Publike Banesore për afera korruptive.
Në një konferencë për medie, deputeti i kësaj partie, Adnan Rrustemi, ka thënë se me bastisjen e zyrave të kësaj ndërmarrjeje nga policia është dëshmuar afera korruptive, e cila ka të bëjë me projektin afaristo-banesor.
Sipas tij, në këtë rast janë shkelur të gjitha procedurat ligjore që duhet ndjekur për dhënien në shfrytëzim të pronës publike.
“Për një kohë të gjatë korrupsioni në Kosovë jo që nuk është luftuar por në pjesën më të madhe është përkëdhelur me veprime të dobëta e masa të lehta të gjykatave të Republikës së Kosovës, prandaj ky veprim së fundi, të organeve të rendit për të hetuar deri në fund dhe për të nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë apo që kanë mundësuar apo që nuk kanë ndaluar keqpërdorimet e shkeljet ligjore në rastin e dhënies në shfrytëzim të përhershëm të pronës publikes të Ndërmarrjes Banesore për ndërtim privat në një zonë profitabile të kryeqytetit, duhet të përshëndetet dhe të ndihmohet nga të gjithë”, ka deklaruar Rrustemi.