Vuçiq: Propozimin e Gjermanisë dhe Francës për Kosovën s`mund ta hedhësh nga dritarja
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka treguar se në tavolinë ka një propozim të Gjermanisë dhe Francës për Kosovën.
Ai ka bërë me dije se këtë propozim nuk mund ta hedh nga dritarja.
“Pozicioni ynë sa i përket Kosovës po bëhet gjithnjë e më i komplikuar sepse sot kemi në tavolinë një propozim nga Franca dhe Gjermania, të cilin na është dashur ta diskutojmë sepse nuk mund ta hedhësh nga dritarja propozimin e dy fuqive më të mëdha evropiane”, ka thënë Vuçiq para gazetarëve .
Ai ka deklaruar se propozimi i dy fuqive evropiane ka të bëj me lejimin e hyrjes së Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë anëtarësimin në Kombet e Bashkuara.
“Kërkohet që Serbia të lejojë Kosovën që të bashkohet në të gjitha institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara. Për këtë gjë, Serbisë do t’i garantohej anëtarësim i shpejtë në BE, dhe ndoshta edhe përfitime tjera të mëdha ekonomike”, ka deklaruar Vuçiq.