Vuçiq gjatë takimit me ndërmjetësuesit evropianë: S’do të ketë njohje për Kosovën
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka postuar një shkrim në Instagram, gjatë kohës sa po mbante takim me emisarët evropianë.
Vuçiq ka thënë se Serbia nuk do ta njohë Kosovën në asnjë mënyrë.
“Nuk do të ketë diskutim për të ardhmen e Serbisë dhe nuk do të ketë njohje të Kosovës! Aktualisht po flas me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak dhe me këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të Republikës së Francës dhe Republikës Federale të Gjermanisë, Emanuel Bonn dhe Jens Pletner, gjithmonë të gatshëm për zgjidhje kompromisi në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Serbisë dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Jo dorëzim! Rroftë Serbia”, ka shkruar presidenti i Serbisë.
Vlen të theksohet, se emisari Lajçak dhe këshilltarët e Scholz dhe Macron, gjatë ditës qëndruan edhe në Kosovë.
Lajçak bëri të ditur se nuk mund të japë detaje, pasi që do të takohen edhe me Vuçiqin në Beograd.
Ndërkaq, as nga pala kosovare nuk ka pasur ndonjë deklarim në lidhje me këtë takim.