Vuçiq: Çfarëdo që të bëj Kurti, gjithmonë e ka mbështetjen e Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe
“Kurti po përpiqet t’i dëbojë serbët nga vatrat e tyre me lëvizje të njëanshme dhe në këtë po e mbështesin Gjermania dhe Britania e Madhe”.
Pas takimit me të dërguarin special të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak dhe përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe të sigurisë, Josep Borell, Vuçiq tha se Kosova ishte temë kryesore.
“Është diçka që nuk mund të të lërë indiferentë, e të mos të japë mundësi të bësh gjëra të tjera të mira – tha Vuçiq për Tv Pink.
“Lajmi i keq është se Kurti po përpiqet t’i dëbojë serbët nga vatrat e tyre me lëvizje të njëanshme”,vazhdoi tutje ai.
Sipas Vuçiq, Kurti çfarëdo që bën, e ka gjithmonë mbështetjen e Birtanisë së Madhe dhe Gjermanisë.
“Është e vështirë të gjesh një propozim racional kur e di se kush duhet të fajësohet dhe e di se ai ka mbrojtjen e vendeve të fuqishme që i thonë atij se ai po e merr rrugën e tij. Ai mund të bëjë çfarë të dojë, gjithmonë do të ketë mbështetjen e Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe”, tha Vuçiq.
Vuçiq tutje ka folur edhe për shpalljen e zgjedhjeve në komunat serbe ku janë dorëhequr kryetarët serbë.
“Ata nuk duan fare të kenë serb në sistemin e tyre. Tregon se sa të etur janë ata për të shkaktuar incidente dhe kaos. Është e qartë se ata po përgatiten për këtë”, ka theksuar Vuçiq.
Kujtojmë se më 21 nëntor, përfundon faza e parë e vendimi të "shkallëzuar" të Qeverisë, për targat, që është qortimi, dhe fillon faza e dytë, ku parashihet gjobitja e qytetarëve, të cilët ngasin veturën me targa ilegale.