Vritet në Ukrainë këshilltari për siguri i agjencisë “Reuters”, ish-ushtari britanik, Ryan Evans - NACIONALE

Vritet në Ukrainë këshilltari për siguri i agjencisë “Reuters”, ish-ushtari britanik, Ryan Evans

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ryan Evans, anëtar i ekipit të agjencisë së lajmeve “Reuters” që po e mbulon luftën në Ukrainë, u vra dhe dy gazetarë të tjerë të kësaj agjencie u lënduan nga një sulm ndaj një hoteli në qytetin lindor ukrainas, Kramatorsk, tha të dielën agjencia e njohur e lajmeve.

Evans, që ishte duke punuar si këshilltar për siguri në agjencinë “Reuters”, u vra pasi një raketë e goditi hotelin “Sapphire”, ku ai ishte duke qëndruar si pjesë e një ekipi me gjashtë veta të dielën, tha agjencia e lajmeve në një deklaratë.

Dy gazetarët e lënduar po trajtoheshin në spital, ndërsa njëri prej tyre ka pësuar lëndime serioze, tha më tej agjencia.

Evans, ish-gazetar britanik, kishte qenë duke punuar për agjencinë “Reuters” nga viti 2022 dhe i këshillonte gazetarët e saj për sigurinë në pjesë të ndryshme të botës, përfshirë Ukrainën, Izraelin dhe Lojërat Olimpike në Paris. Ai ishte 38 vjeç.

“Ne ua dërgojmë ngushëllimet dhe mendimet tona më të thella familjes dhe të dashurve të Ryan-it. Ryan-i ka ndihmuar shumë prej gazetarëve tanë që mbulojnë ngjarje përreth botës; do të na mungojë tepër” – tha agjencia “Reuters”.

Agjencia tha se tre anëtarët e tjerë të ekipit, që ndodheshin në hotel në kohën e sulmit, janë gjetur dhe janë të sigurt.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se hoteli u godit nga një “Iskander”, raketë balistike ruse që mund të godasë në largësi deri në 500 kilometra.

“Një hotel i rëndomtë qyteti u shkatërruar nga një Iskander rus” – tha ai në adresimin e zakonshëm të mbrëmjes të dielën, duke shtuar se ky sulm ishte “absolutisht i qëllimshëm, i menduar”. Zelensky iu shprehu ngushëllime familjes dhe miqve të të vrarit.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Agjencia “Reuters” nuk ka arritur që të vërtetojë në mënyrë të pavarur nëse raketa që e goditi hotelin ishte hedhur nga Rusia ose nëse bëhej fjalë për një sulm të qëllimshëm ndaj ndërtesës./Nacionale

Lajme të ngjashme