Vritet aktivisti opozitar rus që po luftonte në anën e Ukrainës, Ildar Dadin
Ildar Dadin, aktivist i njohur rus që po luftonte në Ukrainë në anën e Kievit, është vrarë në aksion, sipas grupit që e kishte rektrutuar atë.
Një zëdhënëse e grupit Këshilli Civil i tha televizionit BBC se Dadini kishte vdekur, duke shtuar se “ai ishte dhe ai mbetet hero”, raporton transmetuesi publik britanik.
Aktivisti i shndërruar në luftëtar u vra, kur ushtarë nga batalioni i vullnetarëve ku bënte pjesë, Legjioni Liria e Rusisë, u sulmua me zjarr artilerie të forcave ruse në rajonin e Kharkivit, në verilindje të Ukrainës.
Tani për tani, nuk ka më shumë hollësi dhe vetë Legjioni nuk ka komentuar, përderisa thotë se një operacion ushtarak është ende aktiv.
Megjithatë, Ilia Ponamarev, politikan opozitar rus në ekzil, që më parë kishte lidhje me Legjionin Liria e Rusisë, i ka thënë BBC-së se ai është “i sigurt, fatkeqësisht” që Dadini është i vdekur.
Një burim tjetër qartësoi se ky lajm “u konfirmua nga ata që ishin me të në betejë”.
Ildar Dadini ishte bërë i njohur në Rusi para një dekade për vendosmërinë e tij në organizimin e protestave paqësore në kohën e intensifikimit të shtypjes politike.