Vriten pesë gazetarë të televizionit “Al Jazeera” nga një sulm izraelit në Gaza
Pesë gazetarë të televizionit “Al Jazeera” janë vrarë nga një sulm izraelit afër spitalit “Al Shifa” në Qytetin Gaza, ka thënë ky televizion.
Korrespondentët Anas al-Sharif dhe Mohammed Qreiqeh, bashkë me kamermanët Ibrahim Zaher, Mohammed Noufal dhe Moamen Aliwa, ndodheshin në një tendë për gazetarë në portën kryesore të spitalit, kur ajo u godit, raportoi televizioni “Al Jazeera”, transmeton televizioni BBC.
Pak pas sulmit, ushtria izraelite konfirmoi se e kishte vënë në shënjestër gazetarin Anas al-Sharfi, duke thënë në rrjetin “Telegram” se ai kishte “shërbyer si udhëheqës i një celule terroriste në Hamas”.
Ushtria izraelite nuk përmendi ndonjërin prej gazetarëve të tjerë që u vranë.
Gjithsej shtatë njerëz u vranë nga ky sulm, raportoi televizioni “Al Jazeera”. Fillimisht, ky medium tha se katër pjesëtarë të stafit të tij ishin vrarë, por më vonë e ngriti numrin në pesë.
Redaktori menaxhues, Mohamed Moawad, i tha televizionit BBC se al-Sharif ishte gazetar i akredituar i cili ishte “zëri i vetëm” që bota të dinte se çfarë po ndodhte në Gaza.
Gjatë tërë luftës, Izraeli nuk e ka lejuar hyrjen e gazetarëve ndërkombëtarë në Gaza që të raportojnë në mënyrë të lirë. Prandaj, mediat mbështeten te gazetarët lokalë brenda enklavës për mbulimin e ngjarjeve.
“Ata u vunë në shënjestër në tendën e tyre, ata nuk ishin duke mbuluar (ngjarje) nga vija e frontit” – tha Moawad-i për sulmin izraelit.
“Fakti është se qeveria izraelite po do që t’ia mbyllë gojën mbulimit të cilitdo kanal për të raportuar nga brendësia e Gazës” – shtoi ai.
Al-Sharif, 28 vjeç, duket se kishte shkruar në rrjetin X disa çaste para vdekjes, duke paralajmëruar për bombardime intensive izraelite brenda Qytetit Gaza. Një postim që u publikua pasi u raportua se ai kishte vdekur dukej se ishte shkruar paraprakisht nga ai dhe ishte publikuar nga një shok./Nacionale