Vriten katër ushtarë izraelitë nga sulmi me dronë i Hezbollahut në Izrael - NACIONALE

Vriten katër ushtarë izraelitë nga sulmi me dronë i Hezbollahut në Izrael

1 vit më parë

nga NACIONALE

Katër ushtarë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga një sulm me dronë ndaj një baze ushtarake në veri të Izraelit të dielën në mbrëmje, tha ushtria izraelite.

Nga sulmi u godit një bazë afër qytezës Binyamina, rreth 30 kilometra në jug të qytetit Haifa. Më shumë se 50 ushtarë u plagosën, raporton televizioni BBC.

Hezbollahu, grup i armatosur i mbështetur nga Irani, e mori përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se kishte vënë në shënjestër një kamp trajnimi të Brigadës “Golani” të ushtrisë izraelite në atë zonë, që ndodhet mes Haifas dhe Tel-Avivit.

Grupi libanez tha se sulmi ishte kundërpërgjigje ndaj sulmeve vdekjeprurëse izraelite në jug të Libanit dhe në kryeqytetin e këtij shteti, Bejrut.

Ndërkohë, forca paqeruajtëse e Kombeve të Bashkuara në Liban ka thënë se tanket izraelite hynë me forcë në njërën prej pozicioneve të saj të dielën, edhe pse Izraeli e ka vënë në pikëpyetje versionin e OKB-së për zhvillimin e ngjarjeve.

Në Gaza, autoritetet e udhëhequra nga Hamasi thanë se 15 njerëz u vranë nga një sulm izraelit ndaj një shkolle që përdorej për strehimin e palestinezëve të zhvendosur.

Lajme të ngjashme