Votues më shumë se banorë, KQZ jep sqarim: Lista përfshin shtetasit brenda dhe jashtë vendit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar listën preliminare të votuesve; 2 milionë e 47 mijë e 149 është numri i votuesve, pra një numër shumë më i madh se numri i banorëve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka dhënë sqarim se pse numri i votuesve është më i madh se numri i banorëve.
Elezi ka deklaruar se në listën e votuesve përfshihen edhe shtetasit e Kosovës me të drejtë vote, brenda dhe jashtë vendit, ndërsa në regjistrimin e popullsisë kanë marrë pjesë vetëm banorët rezidentë.
“Sipas listës preliminare të votuesve, Republika e Kosovës ka 2,047,149 votues. Certifikimi i listës përfundimtare të votuesve, sipas planit të aktiviteteve të miratuar nga KQZ do të bëhet më 4 janar 2025. Lista Votuese dhe regjistrimi i popullsisë duhet të shikohen ndaras. Në regjistrimin e popullsisë janë të përfshirë vetëm banorët rezident të pranishëm në Kosovë në kohën kur është bërë regjistrimi, pra nuk përfshihen qytetarët që jetojnë jashtë vendit, ndërsa në Listën Votuese përfshihen shtetasit e Kosovës me të drejtë vote që jetojnë brenda dhe jashtë vendit”, tha Elezi për Periskopin.