‘Vonesa e liberalizimit’: Zyrtarja e LDK-së ia jep një ‘meritë’ LVV-së për vizat
Kryetarja e Forumit të Gruas të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku – Sadriu ka reaguar pas tentimit të kryeministrit Albin Kurti për t’i marrë meritat rreth liberalizimit të vizave.
Lushaku – Sadriu ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e ka “meritë të pakontestueshme” vonesën e liberalizimit të vizave.
“Partia në pushtet ka meritë të pakontestueshme për VONESËN e liberalizimit tash e gjashtë vite”, tha ajo.
Kurti sot pas votimit të ambasadorëve të BE-së, ka falenderuar “Administratën shtetërore”, që ka plotësuar kriteret kohë më parë, por këtu, tentoi t’i marrë meritat pak edhe për vete.
Sipas tij, një vendim të tillë e ka penguar mungesa e sundimit të ligjit, luftimi i krimit e korrupsionit, çështje të cilat kryeministri vazhdimisht ka pretenduar se kanë ndryshuar nën qeverisjen e tij.
“Kriteret teknike vërtetë ishin plotësuar tash e një kohë të gjatë, për çka i jemi mirënjohës administratës shtetërore. Por ishin kërkesat për sundim të ligjit, luftim të krimit dhe korrupsionit dhe respektim të institucioneve të pavarura që nuk përmbusheshin dot. Pengesë ishte edhe imazhi jo i mirë i vendit, për shkak të aferave korruptive, kulturës së mosndëshkueshmërisë dhe migrimit masiv e ilegal drejt vendeve të zonës Schengen”, ka thënë ai.