Von Crammon: Qeverisë së Kosovës i mungon vullneti për përparim në integrime evropiane
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, thotë se ‘do të ishte shumë më e lehtë nëse Kosova përmbush kërkesat dhe presioni më i madh të ushtrohej mbi Serbinë’. Von Cramon tha edhe se ‘Qeverisë së Kosovës i mungon vullneti për përparim në integrimet evropiane’.
“Qeverisë së Kosovës i mungon vullneti politik për përparim në integrimet evropiane të vendit. Kabineti ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në BE, por hapat e nevojshëm për përparim në këto aplikacione nuk janë bërë’, tha për mediumin bullgar BTA.
“Të gjithë pajtohen se ka nevojë për përfundim të suksesshëm të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Beograd-Prishtinë. Do të ishte shumë më e lehtë për të gjithë nëse Kosova do të thoshte se i ka përmbushur të gjitha kërkesat dhe i plotëson të gjitha kriteret, atëherë BE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë do të ushtrojnë presion të madh ndaj Serbisë”, tha ajo.
Cramon në këtë intervistë, komentoi edhe vendimin e Kosovës për dinarin.
“Kosova si shtet sovran ka të drejtë të vendosë se cilën valutë do të përdorë, por mënyra se si u përpoq ta zbatonte vendimin është problematike. Ata nuk informuan personat që do të prekeshin; ata nuk dhanë informacione në serbisht për vendimin dhe nuk bënë konsultime. E gjithë kjo ishte kundër interesave të njerëzve të zakonshëm”, tha ajo.