Vlera e koeficientit s’dihet ende, Kurti lavdërohet me Ligjin për Pagat në sektorin publik - NACIONALE

Vlera e koeficientit s’dihet ende, Kurti lavdërohet me Ligjin për Pagat në sektorin publik

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tash e disa ditë po publikon disa të dhënat për “sukseset” e Qeverisë gjatë vitit 2022.

Së fundi, shefi i Qeverisë në Facebook ka shkruar për sektorin publik dhe shëndetësinë.

Ai ka përmendur Ligjin për Pagat për sektorin publik, ndonëse ende nuk dihet se sa do të jetë vlera e koeficientit.

Ndërkohë, sa i përket sektorit të shëndetësisë, vlen të përmendet se shteti i Kosovës qëndroi mbi 70 ditë pa ministër, për ta rikthyer më pas në këtë pozitë, Arben Vitinë.

Postimi i plotë i Kurtit:

2022: Qeveria për sektorin publik dhe shëndetësi

Kemi miratuar dy nga projektligjet më të rëndësishme të reformës së administratës:

- Projektligji për Zyrtarët Publik; dhe

- Projektligji për Paga në Sektorin Publik.

Me Ligjin për Zyrtarët Publik kemi krijuar, ndër të tjera, të gjithë mekanizmat e duhur për:

- Rekrutime të hapura për të gjithë nga jashtë dhe brenda administratës publike;

- Rigjenerim dhe përforcim të kapaciteteve njerëzore (mërgata, praktika për të rinjtë e të rejat);

- Hapja e sistemit për pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në pozitat drejtuese;

- Përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në çdo kategori;

- Mundësi të barabarta për punësimin e personave me aftësi të kufizuara;

- Jetësim i konceptit të karrierës;

- Mundësi reale për ngritje në karrierë përmes mekanizmit të mandateve me kohë të caktuar në nivelet menaxheriale;

- Matje e drejtë e performancës dhe cilësisë.

Me Projektligjin për Paga në Sektorin publik:

- Dallimin mes pagës më të lartë dhe asaj më të ulët e kemi nivelizuar nga 20 herë, në vetëm 4.78 herë;

- Dallimi mes koeficientit më të lartë që është Presidentja, dhe ushtarit të FSK-së është vetëm 3.21 herë; dallimi mes pagës së Kryeministrit dhe ushtarit të thjeshtë është vetëm 2.93 herë;

- Dallimi në mes të Ministrit dhe policit të lartë është vetëm 2.77 herë, ndërsa dallimi mes Kryeministrit dhe policit të lartë është vetëm 2.88 herë;

- Dallimi në mes të kreut të shtetit, Presidentes dhe mjekut specialist është vetëm 1.5 herë;

- Mjeku specialist në institucionet shëndetësore është në të njëjtin raport me sistemin e drejtësisë në gjykatën dhe prokurorinë themelore, dhe të përafërt me Profesorin e rregullt.

Kemi përmirësuar furnizimin me barna: përqindja e furnizimit me barna nga Lista Esenciale e Barnave është rreth 70%, ajo me material shpenzues rreth 90% kurse furnizimi me insulina arriti në 100%.

Zgjeruam mbulimin e trajtimit me terapi nga lista komplementare (për fibrozë cistike).

Funksionalizuam Qendrën Kombëtare të Mjekësisë Sportive.

Funksionalizuam Klinikën e Mjekësisë Fizikale me Rehabilitim Mjekësor.

Hapëm depon e re qendrore të vaksinave.

Për herë të parë siguruam vaksinat kundër HPV.

Miratuam:

-Ligjin për sëmundjet ngjitëse;

- Koncept dokumentin për sëmundjet e rralla dhe atë për shëndetin mendor.

Me udhëzimin administrativ për licencimin e profesionistëve shëndetësorë të huaj lehtësuam procedurat e licencimit të profesionistëve të mërgatës, si dhe të atyre të trojeve të banuara me shqiptarë.

Lajme të ngjashme