Vjedhja e votave ndër kandidatë për deputetë, Kryeziu: Vështirës që komisionerët kanë vepruar të pavarur
Ismet Kryeziu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka deklaruar se një numër kandidatësh, të cilët dyshohet se kanë përfituar mijëra vota të shtuara në mënyrë të paligjshme nga komisionerë zgjedhorë, po distancohen publikisht nga këto veprime, duke pretenduar se votat u janë shtuar pa dijeninë e tyre.
Në një reagim në Facebook, Kryeziu theksoi se në raste kur ekzistojnë dyshime për vepra penale, përfshirë krimin zgjedhor, zbatohet parimi i prezumimit të pafajësisë deri në përfundimin e procedurave ligjore. Megjithatë, ai vuri në dyshim mundësinë që manipulime masive të jenë kryer pa dijeninë ose pa ndonjë formë nxitjeje apo ndërlidhjeje me interesa të caktuara.
Sipas Kryeziut, është e vështirë të besohet se komisionerët zgjedhorë kanë vepruar tërësisht në mënyrë të pavarur, vetëm mbi baza personale. Ai theksoi se institucionet e drejtësisë kanë detyrim të zhvillojnë hetime të plota, të pavarura dhe të paanshme, duke sqaruar motivet dhe përgjegjësitë. Vetëm përmes ndëshkimit të përgjegjësve, sipas tij, mund të garantohet sundimi i ligjit dhe të rikthehet besimi i qytetarëve në integritetin e zgjedhjeve dhe demokracinë.