Veliu sulmon edhe Shpejtim Bulliqin e VV-së por edhe Ekrem Hysenin e LDK-së për një debat televiziv
Ish-kryetari i Podujevës dhe deputeti Agim Veliu ka sulmuar Shpejtim Bulliqin e VV-së dhe Ekrem Hysenin e LDK-së në një postim mjaft, mjaft të ashpër.
Veliut iu mor – ani pse jo drejtpërdrejtazi – pozita e kryetarit të Podujevës nga Shpejtim Bulliqi dhe pozita e të parit të LDK-së në Podujevë nga Ekrem Hyseni. Arsyet për t’i sulmuar i kishte të bollshme, ani pse vazhdon të jetë anëtar i partisë që drejtohet nga Lumir Abdixhiku.
Qysh i sulmoi Veliu?
Shpejtim Bulliqin e quajti “ish përfitues i LDK-së” ndërsa Ekrem Hysenin “mohues të LDK-së”.
Veçanërisht i rëndë sulmi i tij ishte ndaj Hysenit, për opozitarizmin e të cilit - të shpërfaqur gjatë një emisioni në një televizion me frekuencë nacionale (TëVë1) - i tha këto fjalë:
“Asnjë kundërshtim ndaj krekosjeve të kryetarit mashtrues, i cili po lavdërohej me projektet e trashëguara nga qeverisja e LDK-së. Asnjë fjalë e argumentim konkret për abuzimet e vazhdueshme të kryetarit arrogant me qeverisjen dhe buxhetin e komunës.”
Ai tutje akuzoi Hysenin edhe për inferioritet politik e paaftësi.