Veliu kërkon reflektim dhe zgjedhje të brendshme në LDK pas rezultatit të 28 dhjetorit
Ish-ministri dhe ish-nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka reaguar pas rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke e cilësuar atë si një sinjal të qartë që, sipas tij, partia nuk mund ta injorojë.
Në një adresim drejtuar anëtarëve, simpatizantëve dhe qytetarëve, Veliu tha se rezultati është një mesazh nga elektorati që kërkon “reflektim të thellë dhe përgjegjësi politike”. Ai shtoi se humbjet e rënda nuk mund të relativizohen dhe as të kalohen në heshtje.
Sipas Veliut, LDK ka nevojë urgjente për analizë të shkaqeve të humbjes, hapje të brendshme dhe proces zgjedhor të ri në të gjitha nivelet. Ai vuri në dukje se dorëheqja në momente të tilla nuk është dobësi, por “akt force dhe pjekurie politike”.
“Koha kërkon vendime të guximshme, jo mbrojtje të asaj që nuk mbrohet,” ka theksuar ai, duke shtuar se LDK-së i duhen “fitues në ekip, jo kandidatë të përhershëm”.
Në fund të deklaratës së tij, Veliu u shpreh: “Zoti e bekoftë LDK-në.”