Vela e lavdëron shefen e tij: Osmani do ta ketë edhe një mandat
Shefi i kabinetit të Presidentes, Blerim Vela ka folur për raportimet e disa mediave për rrëzimin potencial të Presidentes nga Gjykata Kushtetuese.
Në një intervistë për Telegrafin, Vela ka thënë se Presidentja do ta vazhdojë mandatin e saj deri në fund dhe se ajo nuk do të rrëzohet.
“Presidentja nuk do të rrëzohet. Ajo do ta kryej mandatin e saj dhe do ta ketë një tjetër mandat”, ka deklaruar Vela.
Tutje, ai ka potencuar se edhe nëse do të merret për bazë ankesa e ish-deputetit Veton Berisha, nuk do të cenohet procedura e zgjedhjes së Presidentes.
“Hipotetikisht do të mund të rrëzohej vetëm një deputet. Në raundin e dytë kanë marrë pjesë 82 deputetë. Nuk ka asnjë bazë ligjore, juridike, kushtetuese që të mund të vihet në atë konkludim [rrëzimi i Presidentes]. Lajmi u është shpërndarë mediave [për rrëzimin e mundshëm të Presidentes] nga qarqe që lidhen me Serbinë. Nuk u vë faj këtu mediave. Janë disa shpërndarës të lajmeve të rreme”, është shprehur Vela.
