Vehbi Kajtazi: Mimoza Kusari më kujtonte Adem Grabovcin
Gazetari Vehbi Kajtazi, mendon se opozita e ka problem të përballet me këtë pushtet, edhe për çështjet me rëndësi, sikurse kjo e Trusti-t.
Kajtazi thotë se as pozitës as opozitës nuk i intereson çështja e Trusti-it pasi që sipas tij, shumica prej tyre qëndrojnë mirë financiarisht.
“Por, kjo ishte një betejë politike rreth të cilës u mblodh e gjithë opozita por e kuptuan se kanë me pas problem me këtë pushtet më shty çështje të rëndësishme përpara duke marrë parasysh që fuqia e tyre me numra është e dobët.”- tha Kajtazi në Klan Kosova.
Mes tjerash, gazetari bëri një krahasim për Shefen e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila në vazhdimësi përcolli votat e deputetëve të pozitës gjatë votimit për Trust-in.
“Kur e shihja Mimoza Kusarin sot ma kujtoi Adem Grabovcin kur i thirrke të gjithë deputetët me rend, çfarë kontrolle të rreptë ushtroje mbi vartësitë e saj në Kuvend. Sot çfarë kam parë nuk është ndonjë pasqyrë e mirë e funksionimit e institucionit më të lartë shtetëror. Nuk i di arsyet ekonomike por mendoj se më shumë para në popull – është më mire.” - tha Kajtazi.
